Postuar më: 05/12/2025

Shqipëria prezanton modelin e ri të administrimit të mjedisit dhe pyjeve në forumin kombëtar “Për Ty Natyrë”

Tirana u kthye sot në qendrën e vizionit të ri mjedisor, teksa forumi kombëtar “Për Ty Natyrë”, i udhëhequr nga Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, mblodhi në një hapësirë të vetme politikbërjen, akademinë, agjencitë zbatuese dhe partnerët kryesorë ndërkombëtarë, përfshirë IUCN dhe UNESCO.
Nën drejtimin e ministrit, forumi shënoi fillimin e një etape të re në administrimin e mjedisit, pyjeve dhe biodiversitetit në Shqipëri, në përputhje me rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Drejtoreshën e AKZM, znj. Daniel Pirushi, ministri Jaupaj prezantoi prioritetet dhe drejtimet strategjike të reformës së re për ndërtimin e një sistemi modern, të integruar dhe në linjë me standardet europiane.


Në qendër të këtij transformimi është bashkimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, duke krijuar një strukturë unike menaxhimi për të rritur efikasitetin, transparencën dhe kontrollin mbi territorin.

Duke hapur forumin, ministri Jaupaj theksoi:
“Ka ardhur momenti të ndërtojmë një model të ri, transformues dhe modern për mjedisin.
Ne do të bashkojmë në një strukturë të vetme Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, për menaxhim të unifikuar, vendimmarrje të bazuar në të dhëna dhe kontroll më të fortë të territorit.
Natyra nuk njeh kufij administrativë. As qasja jonë.”

Kryeministri Edi Rama vlerësoi reformën si një instrument kyç duke nënvizuar se modernizimi i administrimit të natyrës është themelor për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Gjatë forumit u prezantuan hapat kryesorë të reformës, që përfshijnë:

  • forcimin e mbrojtjes së biodiversitetit përmes monitorimit shkencor dhe teknologjisë së avancuar;
  • modernizimin e menaxhimit të pyjeve dhe digjitalizimin e të dhënave territoriale;
  • rritjen e transparencës dhe përfshirjen e komuniteteve lokale;
  • promovimin e ekoturizmit dhe ekonomisë së gjelbër si motorë zhvillimi;
  • harmonizimin e plotë të kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Europian.

Partnerët ndërkombëtarë, përfshirë IUCN, UNESCO, si dhe agjenci të zhvillimit, vlerësuan angazhimin e qeverisë shqiptare dhe vizionin e ministrit Jaupaj për krijimin e një modeli administrimi që ndërthur shkencën, inovacionin dhe menaxhimin praktik të territorit.

Në mbyllje, ministri Jaupaj theksoi se Shqipëria po hyn në një kapitull të ri, ku mjedisi trajtohet si kapital kombëtar dhe si garancia kryesore për një të ardhme të qëndrueshme.
Forumi “Për Ty Natyrë” vendosi themelet e një qasjeje të re strategjike, duke e pozicionuar vendin si model rajonal në administrimin e natyrës dhe përgatitjen për standardet e BE-së.

 

  •