Postuar më: 15/04/2022

Ndalimi i qeseve plastike njëpërdorimshe, nga 1 qershori monitorime intensive

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë kanë nisur një aktivitet koordinues për zbatimin e ligjit që ndalon qeset plastike njëpërdorimshe.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në një takim me ministren e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, njoftoi nisjen e përgatitjeve për monitorime intensive së bashku me stafet respektive.

Nga 1 qershori, qeset plastike me trashësi nga çdo anë deri në 70 mikron dhe kapacitet deri në 10 kilogramë nuk do të lejohen të prodhohen, importohen e tregtohen. Ato konsiderohen një ndër ndotëset më të mëdha të mjedisit.

Sipas studimeve, një person përdor mesatarisht 3 qese në ditë dhe koha maksimale e përdorimit të një qeseje plastike njëpërdorimshe është 12 minuta.

Ndryshimet ligjore u miratuan në Parlament më 17 mars dhe hyjnë në fuqi në 1 qershor 2022. Ministrja Kumbaro u shpreh se kjo nismë përveçse normalizimin e parametrave mjedisorë, ka si perspektivë të ardhmen e brezave të rinj për një mjedis të pastër.

  •