Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, së bashku me përfaqësuesit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe partnerët e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), zhvilluan një aktivitet për të shënuar arritjet e rëndësishme të projektit “Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë, Faza II”, një nismë e rëndësishme për ruajtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
Ky projekt ka qenë një hap kyç në forcimin e menaxhimit të Parkut Kombëtar të Prespës dhe ka kontribuar në ruajtjen e biodiversitetit të zonës, uljen e trysnisë mbi ekosistemet ujore, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë për komunitetet që jetojnë në këtë rajon të veçantë natyror.


Në kuadër të këtij projekti, u organizua një ngjarje festive në Qendrën e Vizitorëve të Parkut Drilon-Tushemisht, një investim i rëndësishëm që shënon suksesin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Bashkisë Pogradec dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Ky bashkëpunim ka për qëllim promovimin e turizmit të përgjegjshëm dhe ruajtjen e pasurive natyrore të Shqipërisë.

Rajoni i Qarkut të Korçës, me pasuritë e tij natyrore të jashtëzakonshme, krijon mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e ekoturizmit gjatë gjithë vitit, duke kontribuar kështu në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës. Projekti ka nxitur rritjen e interesit për këtë rajon dhe ka përmirësuar mundësitë për të tërhequr vizitorë nga vende të ndryshme, duke ndihmuar në forcimin e turizmit dhe mbështetje për komunitetet lokale.
Ministria e Mjedisit riafirmon angazhimin e saj për mbrojtjen e mjedisit dhe përkrahjen e projekteve që promovojnë menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, me qëllim rritjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ruajtjen e pasurive natyrore të Shqipërisë.

© Ministria e Mjedisit 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.