Postuar më: 11/12/2025

Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj prezanton projektligjin e ri “Për Gjuetinë” në Kuvend

 

Në Kuvendin e Shqipërisë u prezantua dhe projektligji i ri “Për Gjuetinë”, një nismë e rëndësishme e propozuar nga Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, e cila shënon një hap të ri pas më shumë se një dekade moratoriumi mbi aktivitetin e gjuetisë në vend. Ky ligj synon të vendosë një kuadër modern dhe të qartë ligjor, duke garantuar një gjueti të kontrolluar, të qëndrueshme dhe plotësisht të harmonizuar me standardet europiane.

Sipas Ministrit Jaupaj, projektligji i ri nuk synon thjesht rikthimin e aktivitetit të gjuetisë, por ndërtimin e një kulture të re gjuetie, që vendos në qendër mbrojtjen e natyrës, ruajtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e përgjegjshëm të burimeve natyrore. “Ky ligj është një ekuilibër mes traditës dhe nevojës për mbrojtje mjedisore, duke u bazuar në praktikat më të mira europiane”, u shpreh ministri gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Projektligji sjell disa risi thelbësore, ndër të cilat spikat menaxhimi i decentralizuar i gjuetisë, duke i dhënë një rol më aktiv Bashkive në administrimin dhe monitorimin e këtij aktiviteti në territorin e tyre. Po ashtu, parashikohet krijimi i zonave të posaçme gjuetie, të cilat do të menaxhohen në mënyrë profesionale dhe mbi baza shkencore, me qëllim garantimin e balancës ekologjike.

Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e rregullave të reja për testimin dhe certifikimin e gjuetarëve, duke rritur standardet e sigurisë dhe përgjegjshmërisë. Ligji përcakton gjithashtu kufizime të qarta për metodat e palejuara të gjuetisë, si dhe parashikon masa ndëshkuese më të forta për shkelësit, në mënyrë që të parandalohet abuzimi dhe dëmtimi i faunës së egër.

Qëllimi final i këtij kuadri ligjor është të kontribuojë jo vetëm në mbrojtjen e mjedisit, por edhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, duke krijuar mundësi të reja ekonomike dhe duke nxitur turizmin natyror të përgjegjshëm.

Miratimi i këtij ligji përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt afrimit të Shqipërisë me politikat mjedisore të Bashkimit Europian dhe dëshmon angazhimin e institucioneve për një menaxhim më të mirë dhe më të përgjegjshëm të trashëgimisë natyrore të vendit.

  •