Postuar më: 12/06/2025

Konferenca e Oqeaneve në Nice, Kumbaro: Shqipëria angazhim konkret me Konventën për të Drejtën e Detit

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mori pjesë në Konferencën e Oqeaneve të Kombeve të Bashkuara, e cila u mbajt në Nice të Francës.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë, ministrja Kumbaro i dorëzoi nënsekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ratifikimin e Konventës së #OKB për të Drejtën e Detit mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të diversitetit biologjik detar të zonave përtej juridiksionit kombëtar e cila u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar, duke e rreshtuar vendin tonë krah 60 vendeve që i kanë dhënë fuqi ligjore kësaj Konvente.

 

Përmes një videomesazhi nga Nice, minsitrja Kumbaro u shpreh se Shqipëria radhitet në vendet që bëjnë një punë shumë të madhe për mjedisin.

“Nga Nice, në Francë, ku po mbahet Samiti për të Drejtën e Detit dhe të Oqeanve në kuadrin e emergjencave nga ndryshimet klimatike, ku të gjitha vendet e Kombeve të Bashkuara dhe nën udhëheqjen e Francës dhe të Presidentit Macron, u ratifikua Konventa për të drejtën e detit dhe të oqeaneve dhe rolin që mund të luajë secili nga vendet.Shqipëria e ratifikoi këtë Konventë në Kuvendin e Shqipërisë të enjten e kaluar dhe sot ne e dorëzojmë këtu, në prani të gjashtëdhjetë vendeve të tjera, që ishte numri i detyrueshëm që kjo Konventë të marrë vlerë ligjore.Shqipëria radhitet krah vendeve të cilat bëjnë një punë shumë të madhe në mbrojtjen e mjedisit dhe të mjedisit detar, duke ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm, konkretisht të turizmit, por edhe të mbrojtjes së mjedisit.

Shqipëria nuk është vend ndotës në rend global dhe as nuk impakton ndryshimet klimatike, por me modelet e saj vazhdon të jetë në krye të tavolinave të debatit që nga lumi i fundit i egër në Europë, Vjosa, tashmë Park Kombëtar, me 480 km vijë lumore, deri te shtimi i sipërfaqes së zonave të mbrojtura, por edhe te gjetja e një ekuilibri të drejtë midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, ekonomisë lokale të agroturizmit dhe mbrojtjes së mjedisit”, u shpreh ministrja Kumbaro.

 

Gjatë punimeve të kësaj konference, minsitrja Kumbaro mori pjesë edhe në Ministerialin e Konventës së Barcelonës, gjatë punimeve të Konferencës së Oqeaneve që po zhvillohet në Nice, së bashku Drejtoreshën Ekzekutive të Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara #UNEP Inger Andersen, me homologë ministra të mjedisit nga Franca, Spanja, Italia, Greqia, Sllovenia, Monaco, Maroku, Tunizia, etj.

  •