Ministria e Mjedisit

Lundroni në këtë Seksion

Andi Mujollari – Këshilltar

andi.mujollari@mjedisi.gov.al

Andi Mujollari është inxhinier mjedisi dhe profesionist i zhvillimit ndërkombëtar me përvojë në hartimin dhe zbatimin e politikave mjedisore, energjetike dhe sociale. Ai ka punuar me Bankën Botërore, ku ka kontribuar në projektin e Dekarbonizimit të Sektorit të Energjisë në Mal të Zi dhe në analizën globale të efiçencës energjetike në sektorin e ndërtimit në kuadër të iniciativës Building Green, duke ndihmuar në përkthimin e të dhënave teknike në politika praktike për vendimmarrësit.

Përpara kësaj, ka drejtuar programe të menaxhimit të fatkeqësive pranë Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Kryqit të Kuq Shqiptar, duke koordinuar operacione emergjente dhe ndihma monetare pas tërmetit të vitit 2019. Ka punuar në menaxhimin e përmbytjeve nga lumi Ishëm në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Universitetit TU Delft. Në fushën akademike, Andi ka shërbyer si asistent pedagog në Universitetin Duke (ShBA), në lëndët Analiza e Politikave Publike dhe Analiza e Rriskut Politik.

Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Këshillit Mjedisor të Tiranës, ku ka udhëhequr nisma për transformimin e hapësirave urbane në qendra komunitare, promovimin e energjisë së pastër dhe reduktimin e ndotjes akustike në nivel bashkiak. Përmes kësaj nisme, ka ndërtuar një rrjet aktiv prej mbi 150 vullnetarësh dhe profesionistësh mjedisorë. Andi është gjithashtu përfaqësues i Shqipërisë në forume ndërkombëtare, përfshirë Konferencën e Klimës COP27.

Formimi i tij në Politika Ndërkombëtare të Zhvillimit në Universitetin Duke dhe Inxhinieri Mjedisore në Universitetin Politeknik të Tiranës e pozicionon atë në ndërthurjen mes ekspertizës teknike dhe hartimit të politikave publike – një bazë që i mundëson të kontribuojë në zhvillimin e politikave mjedisore dhe energjetike duke avancuar objektivat e integrimit europian dhe tranzicionit të gjelbër të Shqipërisë.