Ministria e Mjedisit

Lundroni në këtë Seksion

Xhulia Gjoka – Këshilltar

xhulia.gjoka@mjedisi.gov.al

Xhulia Gjoka është juriste dhe këshilltare ligjore me eksperiencë të konsoliduar në fushën e së drejtës publike, hartimit të legjislacionit dhe këshillimit juridik institucional. Aktualisht ushtron detyrën e Këshilltares së Ministrit për Çështjet Ligjore pranë Ministrisë së Mjedisit, funksion që e ka mbajtur më parë edhe në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit gjatë periudhës 2023–2025. Në këtë rol, ajo është angazhuar në hartimin dhe shqyrtimin e akteve ligjore, analizën e politikave publike, si dhe ofrimin e ekspertizës juridike në procese me rëndësi strategjike.

Karriera e saj përfshin përvojë profesionale si në Shqipëri ashtu edhe në shtetin Kanadez, ku ka ushtruar funksionin e Asistentes së Avokatit, duke ofruar mbështetje në këshillimin juridik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit ligjor. Gjithashtu, në Université de Montréal ka shërbyer si Asistente-Profesore në lëndët e së Drejtës Kushtetuese dhe të së Drejtës së Kontratave, ku ka kontribuar në procesin e mësimdhënies, përgatitjen e materialeve akademike, vlerësimin dhe mbështetjen e studentëve.

Formimi i saj akademik kombinon ekspertizën juridike tradicionale me njohuritë mbi sfidat moderne të teknologjisë. Ajo zotëron një Master Shkencor në të Drejtë Civile nga Universiteti i Tiranës dhe një Master në të Drejtën e Teknologjisë së Informacionit nga Université de Montréal. Gjithashtu, është e licencuar si avokate dhe anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Krahas formimit juridik, ajo zotëron edhe certifikimin IT Expert nga Cisco Networking Academy, duke kombinuar njohuritë ligjore me kompetencat teknologjike dhe digjitale.

Përvoja e saj praktike është pasuruar edhe përmes angazhimeve pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda si dhe në fushën e noterisë, ku ka fituar njohuri të drejtpërdrejta mbi funksionimin e sistemit gjyqësor, procedurat ligjore dhe praktikën juridike. Këto eksperienca i kanë mundësuar të ndërtojë një kuptim të plotë të së drejtës, duke e kombinuar perspektivën teorike me zbatimin praktik.

Përtej angazhimeve profesionale, gjatë viteve të studimit në Montréal është përfshirë aktivisht në veprimtari vullnetare dhe sociale. Ajo ka kontribuar pranë ASAMM, duke mbështetur persona me aftësi të kufizuara në shikim në zhvillimin e aktiviteteve sportive, si dhe pranë Collège Platon, ku ka asistuar studentët në përgatitjen e tyre akademike.

Në aspektin e njohurive gjuhësore, përveç shqipes si gjuhë amtare, ajo zotëron në nivel të avancuar anglishten, frëngjishten, italishten, spanjishten dhe është njohëse e gjuhës portugeze. Kombinimi i formimit akademik ndërkombëtar, eksperiencës institucionale dhe aftësive shumëgjuhëshe pasqyron një profil profesional, me kapacitete të larta analitike, komunikimi dhe përfaqësimi në mjedise kombëtare dhe ndërkombëtare.