Postuar më: 08/12/2025

Ministri Jaupaj dhe Komisionerja Roswall diskutojnë në Bruksel përparimin e Shqipërisë në Kapitullin 27 dhe afrimin me standardet europiane.

Brukseli ishte ndalesa e radhës në axhendën europiane të ministrit të Mjedisit të Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, i cili zhvilloi një takim të rëndësishëm pune me Komisioneren Europiane për Mjedisin dhe Klimën, Jessika Roswall. Ky ritakim konfirmon ritmin e qëndrueshëm me të cilin Shqipëria po ecën drejt objektivit strategjik të integrimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në një nga kapitujt më sfidues dhe më kërkues të procesit, Kapitullin 27, që i dedikohet mjedisit, klimës, natyrës dhe biodiversitetit.


Në qendër të diskutimeve ishte përparimi i bërë nga vendi ynë në përafrimin me acquis communautaire të BE-së, ku vlen të theksohet avancimi me ritme të shpejta i punës për përmbushjen e direktivave europiane. Ministri Jaupaj vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa domethënës, duke forcuar kuadrin ligjor me nisma të rëndësishme si projektligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit, një reformë që i hap rrugë ekonomisë qarkulluese dhe modele të reja të qëndrueshme prodhimi.
Gjatë takimit, ministri theksoi se, pavarësisht progresit, Shqipëria ka ende nevojë për ekspertizën teknike, rekomandimet dhe dialogun konstant me institucionet europiane. Në një kapitull kaq kompleks dhe me kosto të larta financiare, bashkëpunimi me BE-në mbetet thelbësor për të siguruar që reformat e ndërmarra të jenë të qëndrueshme, efikase dhe të harmonizuara me standardet më të larta të Unionit.


Komisionerja Roswall vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë për të avancuar në fushën e mjedisit dhe klimës, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit të ngushtë për të mbështetur vendin tonë në rrugën drejt integrimit.

Në përfundim, ministri Jaupaj theksoi se mbrojtja e mjedisit, përmirësimi i cilësisë së ajrit dhe ujit, mbrojtja e biodiversitetit dhe përgatitja e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane nuk janë thjesht detyrime të procesit të integrimit, por angazhime që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së çdo qytetari.
Takimi në Bruksel konfirmoi edhe një herë se Shqipëria po ecën me vendosmëri dhe vizion të qartë drejt harmonizimit me standardet mjedisore të BE-së, një udhëtim i shpejtë, por mbi të gjitha i qëndrueshëm.

  •