Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërmarrë një hap themelor në drejtim të forcimit të rezistencës ndaj ndryshimeve klimatike duke nisur zhvillimin e Kuadrit Kombëtar për Ndryshimet Klimatike, në partneritet me GIZ Shqipëri. Takimi i parë për këtë qëllim u organizua në mjediset e kësaj ministrie. Zëvendësministri i Mjedisit dhe Turizmit z. Sofjan Jaupaj duke nënvizuar rëndësinë e përgjegjësisë kombëtare dhe bashkëpunimit shumëpalësh me grupet e interesit u shpreh se: “Kuadri Kombëtar për Ndryshimet Klimatike nuk ka të bëjë vetëm me të dhënat, por siguron që fermerët, bizneset, politikëbërësit dhe komunitetet kanë informacionin e duhur në kohën e duhur për të marrë vendime të zgjuara klimatike”
Kuadri Kombëtar për Shërbimet Klimatike është një platformë ndërveprimi dhe bashkëpunimi mes institucioneve publike përgjegjëse për hartimin e politikave kombëtare dhe komunitetit shkencor. Qëllimi i saj është të mbledhë dhe të harmonizojë të dhënat nga vëzhgimet e motit dhe kërkimet shkencore mbi klimën, për t’i shndërruar ato në shërbime praktike klimatike. Këto shërbime u vihen në dispozicion: sektorëve ekonomikë si bujqësia, turizmi, energjia dhe shëndeti publik, për hartimin e politikave të informuara dhe të mbështetura në të dhëna, bizneseve dhe sipërmarrjeve private për të planifikuar më mirë investimet e tyre, si dhe komuniteteve lokale – fermerëve, operatorëve turistikë, ofruesve të shërbimeve dhe banorëve të zonave të rrezikuara nga përmbytjet, thatësirat dhe zjarret – për t’u paralajmëruar dhe reaguar në kohë ndaj ngjarjeve klimatike ekstreme.
Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ngre një kuadër të tillë, duke siguruar që studimi i klimës të përkthehet në informacion praktik për vendim-marrje në të gjithë sektorët, që nga bujqësia dhe shëndetësia, te uji, energjia dhe reduktimi i rrezikut nga ndryshimet klimatike.
Kuadri Kombëtar për Ndryshimet Klimatike është pjesë e Kuadrit Global për Shërbimet Klimatike, një nismë e udhëhequr nga Kombet e Bashkuara që ndihmon vendet të mbrojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve duke shndërruar të dhënat komplekse të klimës në shërbime praktike.
Ky hap i rëndësishëm mbështet gjithashtu rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe angazhimet e saj në kuadër të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke forcuar qëndrueshmërinë kombëtare dhe duke u përafruar standardet evropiane për përshtatje dhe zhvillim të qëndrueshëm.”
Me këtë nismë, Shqipëria përforcon rolin e saj si pararendëse në rajon për masat ndaj ndryshimeve klimatike dhe duke ofruar një model për t’u ndjekur nga vendet fqinje.
Në takim morën pjesë përfaqësues programit ALBAdapt i cili mbështet përpjekjet e vendit tonë për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike. Programi ALBAdapt financohet nga Fondi i Gjelbër për Klimën, si dhe nga qeveritë shqiptare, gjermane dhe zvicerane.
© Ministria e Mjedisit 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.