Ministria e Mjedisit

CARE4BlueSea

INFORMACION PUBLIK / PUBLIC INFORMATION

Clean and Resilient Environment for Blue Sea

Informacioni që propozohet për publikim

SHQIP

Projekti “Clean and Resilient Environment for Blue Sea – CARE4BlueSea” është një projekt i financuar nga Banka Botërore, i cili synon të kontribuojë në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ujërave në zonën bregdetare jugperëndimore të Shqipërisë. Objektivi kryesor i projektit është reduktimi i ndotjes që vjen nga burimet tokësore dhe përfundon në mjedisin ujor, përmes ndërhyrjeve të integruara në menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe ujërave të ndotura.

Projekti mbështet investime dhe masa që synojnë përmirësimin e shërbimeve publike, mbrojtjen e lumenjve, ujërave nëntokësore dhe zonave bregdetare, si dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve qendrore dhe vendore për një menaxhim më të qëndrueshëm të mjedisit.

Një pjesë e rëndësishme e projektit fokusohet në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve të ngurta, duke mbështetur bashkitë në rritjen e cilësisë dhe mbulimit të shërbimit, përmirësimin e grumbullimit dhe ndarjes së mbetjeve, nxitjen e riciklimit dhe forcimin e sistemeve të monitorimit dhe raportimit. Projekti synon gjithashtu të mbështesë qëndrueshmërinë financiare dhe operacionale të shërbimeve të menaxhimit të mbetjeve dhe të promovojë praktikat e ekonomisë qarkulluese.

Një tjetër drejtim kryesor është reduktimi i ndotjes së ujërave në pellgun e lumit Vjosa, përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura. Ndërhyrjet përfshijnë rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjeteve të kanalizimeve, ndërtimin ose përmirësimin e sistemeve të trajtimit të ujërave të ndotura, zgjidhje sanitare të decentralizuara dhe masa për reduktimin e ndotjes nga burimet jo-pikësore. Investimet do të marrin në konsideratë edhe rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe nevojën për infrastrukturë më të qëndrueshme dhe rezistente.

Projekti “Mjedis i Pastër dhe me Aftësi Ripërtëritëse – Deti Blu / CARE4BlueSea” ka ngritur Mekanizmin e Trajtimit të Ankesave (GRM), nëpërmjet të cilit çdo person, subjekt, përfitues, palë e interesuar apo komunitet i prekur nga aktivitetet e Projektit mund të paraqesë ankesa, shqetësime, komente ose sugjerime lidhur me përgatitjen dhe zbatimin e aktiviteteve të Projektit.

Paraqitja e një ankese nëpërmjet GRM-së është pa pagesë. Mekanizmi lejon gjithashtu paraqitjen e ankesave në mënyrë anonime dhe informacioni trajtohet duke respektuar kërkesat për konfidencialitet dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Ankesat mund të paraqiten nëpërmjet:

  • Email: care4blue@mjedisi.gov.al
  • Telefon: +355684220080
  • Kanaleve të tjera të miratuara të Projektit, sipas informacionit që do të publikohet dhe përditësohet nga PMT.

Çdo ankesë e marrë do të regjistrohet dhe do të pajiset me një numër unik reference. Ankesa do të shqyrtohet nga strukturat përgjegjëse të Projektit dhe ankuesi, kur ka dhënë të dhënat e kontaktit, do të informohet për ecurinë, masat e propozuara dhe përfundimin e procesit të trajtimit, në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në Protokollin e Ankesave të Projektit.

Nëpërmjet këtyre ndërhyrjeve, CARE4BlueSea synon të kontribuojë në një mjedis më të pastër, reduktimin e ndotjes, përmirësimin e shërbimeve të menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotura, si dhe mbrojtjen afatgjatë të lumenjve, burimeve ujore dhe zonave bregdetare të Shqipërisë.