Zëvendësministrat

Elda Xhumari

Zëvendësministër i Mjedisit

Elda Xhumari mban postin e Zëvendësministres së Mjedisit që prej tetorit 2025.

Ajo është diplomuar në Shkenca Kompjuterike – Sistemet e Teknologjisë së Informacionit dhe më pas ka përfunduar dy programe Master në Universitetin Shtetëror të Voronezhit në Rusi: një në Sigurinë e Sistemeve të Informacionit dhe tjetrin në Ekonomi – Analizë Sasiore të Tregjeve Financiare. Në vitin 2021, ajo ka mbrojtur gradën “Doktor” në Informatikë, në fushën e rrjeteve neurale dhe inteligjencës artificiale.

Prej vitit 2015, Znj. Xhumari është pedagoge pranë Departamentin e Informatikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, ku zhvillon kërkime shkencore në fusha si administrimi dhe siguria e sistemeve të informacionit, rrjetet kompjuterike, Deep Learning, Blockchain, si dhe menaxhimi i projekteve në ICT.

Përveç karrierës universitare, ajo ka një përvojë të konsoliduar profesionale në projekte zhvillimore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo ka shërbyer si:

– Menaxhere risku pranë Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ku ka ngritur dhe zbatuar mekanizmat e menaxhimit të riskut institucional për aktivitetin e organizatës.

– Konsulente për institucione si UNDP, GIZ, Save the Children, PAP/RAC, Threls Ltd., IGEA, me fokus në transformimin digjital, sigurinë kibernetike dhe edukimin teknologjik, të dhënat gjeohapësinore dhe mjedisin.

– Eksperte në hartimin e strategjive të transformimit digjital, platformave të informacionit dhe sistemeve të avancuara për menaxhimin e informacionit mjedisor.

Ajo ka marrë pjesë në programe kërkimore dhe mobilitete akademike në universitete të njohura në Poloni, Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Gjermani dhe vende të tjera të BE-së, duke përfaqësuar Shqipërinë në projekte shkencore dhe profesionale në fushën e teknologjisë dhe sigurisë së informacionit.

Znj. Xhumari zotëron certifikime të specializuara, përfshirë atë si auditues i brendshëm në sektorin publik. Ajo ka aftësi të shkëlqyera në gjuhën shqipe, angleze dhe ruse, si dhe njohuri të mira të gjuhës italiane.