Ministria e Mjedisit

Ledina Beqiraj Agalliu

Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit

Ledina Beqiraj Agalliu ka lindur më 22 nëntor 1988 në Durrës.

Ajo është kandidate për doktoratë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Ka përfunduar studimet master profesional në degën “E Drejta Civile” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës , si dhe studimet universitare dhe master shkencor në degën “Drejtësi” pranë Universitetit “Luarasi” .

Znj. Beqiraj Agalliu ka një karrierë të gjerë në administratën publike dhe sistemin ligjor. Aktualisht, prej tetorit 2025, mban detyrën e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Mjedisit, ndërsa më parë ka ushtruar të njëjtin funksion në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit .

Më herët, ka mbajtur pozicione të larta drejtuese si Drejtore e Përgjithshme në Drejtorinë e Pronësisë Industriale dhe në Drejtorinë e Përgjithshme Rregullatore dhe të Përputhshmërisë për Kulturën.

Përpara këtyre detyrave, ka shërbyer në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, duke mbajtur funksionet e Inspektorit të Lartë, Ndihmës Inspektorit dhe Drejtoreshës së Konfliktit të Interesit.

Karrierën e ka nisur si specialiste juriste në institucionet e varësisë së Ministrisë së Kulturës, përfshirë Qendrën Kombëtare të Artit dhe Kulturës, Muzeun Historik Kombëtar dhe Zyrën Shqiptare për të Drejtat e Autorit. Znj. Beqiraj Agalliu është juriste me përvojë të gjerë në fushën e administrimit publik, të drejtës civile dhe menaxhimit institucional.