Ministria e Mjedisit

Sot u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit Teknik ndërmjet Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për zbatimin e projektit “Vjosa e Gjelbër”, një nismë strategjike që forcon partneritetin afatgjatë mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Marrëveshja u firmos nga Ministri i Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, në prani të Zëvendësambasadorit Iven Schad dhe përfaqësuesve të Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ): Sonia Kurz, Drejtuese e GIZ, Mattia Wegmann dhe Sofjola Kotelli.

Projekti “Vjosa e Gjelbër” përfaqëson një model zhvillimi të integruar që vendos mbrojtjen e natyrës, përfshirjen e komuniteteve lokale dhe zhvillimin ekonomik në një marrëdhënie të ekuilibruar dhe afatgjatë. Në fokus të tij është ruajtja dhe promovimi e biodiversitetit në Parkun Kombëtar të Vjosës, si një bazë për rritjen ekonomike lokale dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

Nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe mbështetjes së iniciativave të bazuara në komunitet, projekti do të forcojë kapacitetet e aktorëve kombëtarë dhe lokalë, duke ndërtuar një model të menaxhimit të integruar të natyrës që synon të shërbejë si referencë edhe për zona të tjera të vendit.

“Vjosa e Gjelbër” kontribuon drejtpërdrejt në avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë, në veçanti në përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Kapitulli 27 i acquis-it të Bashkimit Europian, si dhe në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Projekti përforcon politikat për veprimin klimatik, ruajtjen e burimeve ujore, reduktimin e ndotjes dhe nxitjen e praktikave të bujqësisë ekologjike.

Në një kontekst global të shënuar nga ndryshimet klimatike dhe humbja e biodiversitetit, kjo marrëveshje dërgon një sinjal të qartë për përkushtimin e Shqipërisë ndaj standardeve europiane dhe mbrojtjes së interesit publik, duke e pozicionuar vendin si një partner të besueshëm në bashkëpunimin ndërkombëtar për mjedisin.

Zbatimi i marrëveshjes pritet të sjellë rezultate konkrete në terren, të forcojë mbrojtjen e ekosistemeve tokësore dhe të nxisë rolin aktiv të komuniteteve lokale në menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura.

Në përfundim, palët shprehën mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme politike dhe teknike të Qeverisë Gjermane dhe të GIZ, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 27, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për integrimin europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm.