Ministria e Mjedisit

Në Tiranë u zhvillua takimi i Komitetit Ekzekutiv mes Qeverisë së Shqipërisë dhe organizatave të OKB-së, ku u bë një bilanc i bashkëpunimit shumëvjeçar në fusha kyçe si mjedisi, klima dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Takimi shërbeu gjithashtu për përcaktimin e drejtimeve strategjike të Kuadrit të ri të Bashkëpunimit 2027–2031.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, vlerësoi rolin e projekteve të përbashkëta me UNDP, UNEP dhe UNIDO në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në zbatimin e reformave mjedisore. Ai theksoi se fokusi për fazën e ardhshme do të jetë mobilizimi i financimeve për infrastrukturë të gjelbër, forcimi i zbatimit të legjislacionit në nivel vendor dhe adresimi i ndikimeve të ndryshimeve klimatike përmes politikave të integruara.

Ky partneritet përbën një mbështetje strategjike për agjendën kombëtare të mjedisit dhe për përafrimin e politikave shqiptare me objektivat globale të zhvillimit të qëndrueshëm dhe standardet e Bashkimit Europian.