Ministria e Mjedisit

Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë dhe me mbështetjen financiare të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), nisi zbatimin e një prej projekteve më të rëndësishme të rehabilitimit mjedisor në Vlorë. Ministri Sofjan Jaupaj, së bashku me Kryetaren e bashkisë Vlorë Bruna Mersini vizituan kantierin për të parë ecurinë e punimeve.

Projekti do të mundësojë kapsulimin e landfillit të vjetër sipas standardeve mjedisore, si edhe rehabilitimin e ish-hotspotit mjedisor dhe të vendgrumbullimit të inerteve në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, duke eliminuar burime historike të ndotjes dhe duke i kthyer këto hapësira në zona të sigurta e të gjelbëruara.

Një sipërfaqe prej 44 hektarësh i rikthehet qytetit. Vlora fiton më shumë hapësira të gjelbra, një mjedis më të pastër dhe një cilësi më të mirë jetese për qytetarët.

Ky projekt është një investim i rëndësishëm për të mbyllur një kapitull të trashëguar të ndotjes dhe për të ndërtuar një të ardhme më të gjelbër dhe më të qëndrueshme për Vlorën.