Ministria e Mjedisit

Nga fermeri që planifikon sezonin bujqësor, te bashkia që përgatitet për një valë të nxehti, një stuhi apo një periudhë thatësire, vendimet më të mira mbështeten në informacion të besueshëm për motin, ujërat dhe klimën. Këto të dhëna janë thelbësore për mbrojtjen e jetës dhe pronës, planifikimin e zhvillimit dhe rritjen e gatishmërisë ndaj rreziqeve që lidhen me motin, klimën dhe ujërat.

Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, Shqipëria ka nisur reformën e sektorit hidrometeorologjik, me synimin për të ndërtuar një sistem modern, të koordinuar dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Për këtë, u organizua nga Ministri i Mjedisit,Sofjan Jaupaj takimi i Grupit Ndërinstitucional të Punës. 

Pas një viti analizash dhe konsultimesh me institucionet shqiptare, ekspertë kombëtarë dhe partnerë ndërkombëtarë, reforma hyn tashmë në fazën e diskutimit. Mbi këtë bazë është hartuar drafti fillestar i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Kombëtar Hidrometeorologjik”, i cili do të shërbejë si bazë për konsultimet dhe përmirësimin e mëtejshëm të reformës. 

Procesi mbështetet nga Programi ALBAdapt, i zbatuar nga GIZ në partneritet me Ministrinë e Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe MeteoSwiss, me financim nga Green Climate Fund dhe qeveritë e Shqipërisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.

Në mbledhjen e parë të Grupit Ndërinstitucional të Punës u diskutua drafti fillestar i projektligjit, u ndanë komentet dhe rekomandimet e institucioneve pjesëmarrëse dhe u dakordësua vijimi i konsultimeve për përmirësimin dhe finalizimin e reformës.

Në javët në vijim, komentet dhe rekomandimet e institucioneve do të integrohen në draftin e projektligjit përpara vijimit të procedurave të mëtejshme. Reforma synon të krijojë një kuadër të qartë institucional, të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe të sigurojë që informacioni për motin, ujërat dhe klimën të përdoret në mënyrë më efektive për mbrojtjen e qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.