Ministry of Environment
Ministri Sofjan Jaupaj zhvilloi këtë të mërkurë një takim me delegacionin e eurodeputetëve të Parlamentit Europian, të përbërë nga Tineke Strik, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg. Takimi u fokusua mbi ecurinë e Shqipërisë në Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”, si dhe mbi informimin lidhur me projektin e mundshëm në Zvërnec.
Ministri informoi eurodeputetet mbi ecurinë e procesit të integrimit në fushën e mjedisit, si edhe mbi arritjet kryesore të Shqipërisë, e cila sot konsiderohet një nga kampionet e Ballkanit Perëndimor në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.
Gjithashtu, eurodeputetet u informuan se ecuria e projektit të mundshëm në Zvërnec është ndjekur dhe po ndiqet nga Ministria e Mjedisit me diligjencën më të madhe, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian. Siç është theksuar edhe nga Kryeministri, çdo projekt i mundshëm do t’i nënshtrohet Vlerësimit të thelluar të Ndikimit në Mjedis (VNM e thelluar), të gjitha procedurave ligjore, konsultimit publik dhe një procesi plotësisht transparent, me mbrojtjen e biodiversitetit dhe të vlerave natyrore si prioritet të panegociueshëm.
Shqipëria është e vendosur të respektojë plotësisht standardet europiane në çdo vendimmarrje që lidhet me mjedisin, duke garantuar se zhvillimi dhe ruajtja e natyrës do të ecin gjithmonë në përputhje me ligjin, shkencën dhe interesin publik.