Ministry of Environment

Gjatë këtij takimi Ministerial, ku morën pjesë Ministrat e Mjedisit të gjithë rajonit, në kuadër të Procesit të Berlinit u firmos Deklarata e Tretë e Agjendës së Gjelbër. Vijojmë drejt një Shqipërie dhe një rajoni më të gjelbër, më të qëndrueshëm dhe më pranë BE-së.

Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për mbrojtjen e natyrës dhe përballimin e sfidave të përbashkëta mjedisore.

Në kuadër të Ministerialit të Tretë të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, në Zhabjak të Malit të Zi, Ministri Jaupaj zhvilloi takime dypalëshe me Ministren e Mjedisit të Kosovës, Fitore Pacolli, dhe Ministrin e Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, Muamet Hoxha. Gjatë takimeve u diskutuan angazhimet e përbashkëta për krijimin e Parkut Ndërkufitar Korab–Koritnik–Mali i Sharrit, si dhe për avancimin e projekteve të tjera rajonale në fushën e menaxhimit të mbetjeve.

Një takim me rëndësi u zhvillua edhe me Ministrin e Mjedisit të Malit të Zi, Damjan Ćulafić ku të dy ministrat u zngazhuan për shkëmbimin e përvojës dhe ekspertizës teknike në kuadër të Kapitullit 27. Shumë shpejt, ekipet tona teknike do të takohen në një seminar dypalësh për të analizuar metodologjinë dhe të dhënat teknike për zhvillimin e rrjetit Natura 2000.

Ministri Jaupaj nënshkroi gjithashtu Marrëveshjen e Bashkëpunimit Teknik ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe IUCN-së – Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.

Kjo marrëveshje synon angazhimin e drejtpërdrejtë të ekspertizës së IUCN-së në procesin e integrimit evropian për Kapitullin 27, duke mbështetur Ministrinë e Mjedisit në përmbushjen e piketave mbyllëse, përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian dhe hartimin e projekteve konkrete për mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit dhe restaurimin e ekosistemeve.

U zhvillua edhe një takim me znj. Bettina Hagedorn, Sekretare e Shtetit në Ministrinë Federale Gjermane të Mjedisit, ku u riafirmua partneriteti i ngushtë dypalësh dhe angazhimi ynë i përbashkët për avancimin e tranzicionit të gjelbër.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu projektet e rëndësishme që po zbatojmë me mbështetjen e GIZ-it dhe KfW-së në fushën e menaxhimit të mbetjeve, përballimit të ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjes së natyrës. Gjermania mbetet një partner strategjik i Shqipërisë në rrugën drejt standardeve evropiane dhe zhvillimit të qëndrueshëm

Vijojmë punën dhe bashkëpunimin për të garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit në Shqipëri, si pjesë e një rrjeti të madh rajonal e europian.