Ministry of Environment
Ministri Sofjan Jaupaj ishte i pranishëm në konferencën e nivelit të lartë të Forest Europe, ku Shqipëria u konfirmua me votë unanime si presidetja e radhës e kësaj organizate. Një moment krenarie dhe përgjegjësie për vendin tonë, që tashmë do të drejtojë platformën më të rëndësishme politike pan-evropiane për pyjet, duke bashkuar shtetet e Evropës dhe Bashkimin Evropian rreth sfidave dhe zgjidhjeve për të ardhmen e pyjeve të kontinentit.
Ky besim është një vlerësim për punën e bërë deri më sot, por mbi të gjitha një mandat për të udhëhequr me vizion, bashkëpunim dhe ambicie në një kohë kur ndryshimet klimatike, zjarret, humbja e biodiversitetit dhe degradimi i tokës kërkojnë veprim të përbashkët.
Gjatë kësaj konference Ministri Jaupaj zhvilloi edhe një takim dypalësh me homologun suedez, Ministrin e Çështjeve Rurale, z. Peter Kullgren. Shqipëria dhe Suedia kanë një bashkëpunim të suksesshëm, veçanërisht përmes projektit SIDA, dhe synojnë ta forcojnë më tej në sektorin e pyjeve dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në inventarizimin kombëtar të pyjeve, menaxhimin modern të tyre, parandalimin e zjarreve, zhvillimin e vendeve të gjelbra të punës dhe promovimin e produkteve pyjore.
Suedia mbetet një partner i rëndësishëm në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, ndërsa Shqipëria synon të përfitojë nga përvojat më të mira evropiane në rrugën drejt integrimit në BE.