Ministry of Environment

Ministria e Mjedisit nisi komponentin e ri të projektit EU4Rivers, të dedikuar mbrojtjes së ekosistemeve detare dhe menaxhimit të integruar të burimeve ujore. Projekti synon të forcojë veprimet kundër ndotjes nga plastika, të rrisë monitorimin e lumenjve dhe të mbrojë bregdetin dhe detin si pjesë e një qasjeje të unifikuar për ujin dhe mjedisin.

Ministri Sofjan Jaupaj theksoi se mbrojtja e ujërave është një prioritet strategjik kombëtar, i lidhur drejtpërdrejt me shëndetin publik, turizmin dhe ekonominë blu. Në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Austrinë, Shqipëria po vendos standarde të reja mjedisore dhe po forcon zbatimin e direktivave europiane për ujin, në kuadër të angazhimeve të Kapitullit 27.

EU4Rivers kontribuon gjithashtu në forcimin e koordinimit ndërinstitucional dhe ndërtimin e kapaciteteve lokale për parandalimin dhe adresimin e ndotjes, duke e vendosur mbrojtjen e burimeve ujore në qendër të politikave publike.