Ministry of Environment

Pas reshjeve intensive të fillimvitit, Ministria e Mjedisit aktivizoi menjëherë të gjitha strukturat e saj në terren në parqet natyrore dhe zonat e mbrojtura, për të monitoruar nga afër situatën dhe për të garantuar sigurinë e territorit dhe të vizitorëve. Monitorimi u zhvillua në koordinim me administratat vendore, shërbimet emergjente dhe strukturat e mbrojtjes civile, duke evidentuar pikat problematike dhe duke marrë masa parandaluese në kohë reale.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi se përballë fenomeneve ekstreme klimatike, shteti ka detyrimin të jetë në terren, pranë territorit dhe qytetarëve. “Menaxhimi i riskut klimatik nuk është më një çështje emergjencash sporadike, por një politikë e përhershme e parandalimit, monitorimit dhe ndërhyrjes së shpejtë,” u shpreh ministri. Në këtë kuadër, qytetarët u këshilluan të shmangnin përkohësisht frekuentimin e zonave malore, shtigjeve të eksplorimit dhe parqeve natyrore deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Ministria e Mjedisit vijon forcimin e kapaciteteve monitoruese në territor, përmes investimeve në sisteme vëzhgimi, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së gatishmërisë për situata emergjente, në përputhje me standardet e BE-së për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore.