Ministria e Mjedisit

Në mandatin 2017-2021, Qeveria ka prioritet ruajtjen dhe përmirësimin e standardit të cilësisë në produktet kulturore, intensifikimin e investimeve në këtë sektor, pavarësimin e skenës kulturore nga strukturat publike (duke shtuar burimet e financimit dhe partneritetet publik-privat) dhe shfrytëzimin e kulturës si burim ekonomie dhe turizmi. Brenda mandatit 2017-2021 do të përfundojnë punimet për rikonstruksionin e plotë të Teatrit të Operës dhe Baletit, do të përfundojë qendra multifunksionale e artit “Turbina”, do të investohet në qendra kulturore multifunksionale në qytete ku Rilindja Urbane ka rritur ndjeshëm interesin për kulturën. Në Tiranë investimet kulturore do të kenë tri prioritete në këtë mandat të dytë: rikualifikim dhe rikonceptim të Muzeut Historik Kombëtar; rikonstruksion të Bibliotekës Kombëtare; rehabilitim të Galerisë Kombëtare të Arteve si një qendër e rendësishme e historisë se artit shqiptar. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë gjithashtu ndërtimin për Teatrin e Ri Kombëtar dhe ndërtimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor në akset e reja infrastrukturore që po i shtohen kryeqytetit.

Kultura, jo si shans për disa, por si e drejtë reale për të gjithë do të konkretizohet në vazhdimin e reformës në institucionet e artit dhe në politikat kulturore, ku do të theksojë me forcë “edukimin përmes kulturës” në standarde profesionale. Edukimi masiv me art e kulturë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, duke ndërhyrë në kurrikulat e shkollës nga njëra anë dhe duke përfshirë në çdo institucion arti linjën pedagogjike dhe edukative nga ana tjetër, do të jetë prioritet në mandatin e dytë.

Trashëgimia kulturore si një kombinim i programit të Rilindjes Urbane me atë të rehabilitimit të qendrave historike, do të konsolidojë modelin e suksesshëm të rijetësimit të trashëgimisë kulturore me destinacion turistik.

Prioritet do të marrë kombinimi i turizmit kulturor me agroturizmin përmes programit të Rilindjes Rurale që do të synojë restaurimin e qendrave historike të fshatrave me potencial historik si QH Rehovë, QH Theth, QH Dhërmi, QH Vuno, QH Përmet. Do të promovohen itinerare të reja turistike me karakter kulturor si “Rrugët e besimit”, korridoret e vjetra historike dhe tregtare, si “Via Egnatia”, duke kombinuar trashëgiminë kulturore, kulinarinë dhe artizanatin. “Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës. Në skenën ndërkombëtare, kultura do të vijojë të forcojë praninë e saj cilësore si pasaporta jonë më e mirë.