Ministria e Mjedisit
Liqeni i Shkodrës është njohur zyrtarisht si Rezervë Biosfere nga UNESCO, duke u bërë pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës. Ky status prestigjioz u miratua në 5 qershor 2026, në ditën botërore të mjedisit, pas aplikimit të përgatitur dhe dorëzuar nga Ministria e Mjedisit pranë UNESCO-s.
Përfshirja e Liqenit të Shkodrës në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s është një tjetër dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për ruajtjen e trashëgimisë natyrore dhe promovimin e saj në arenën globale. Ky status jo vetëm që rrit prestigjin ndërkombëtar të vendit, por edhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje afatgjatë të një prej pasurive më të çmuara natyrore të Shqipërisë.
Ky vlerësim përfaqëson një arritje të rëndësishme për Shqipërinë në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të zhvillimit të qëndrueshëm. Përfshirja e Liqenit të Shkodrës në këtë rrjet ndërkombëtar e vendos atë mes zonave më të rëndësishme natyrore në botë, të njohura për biodiversitetin, vlerat ekologjike dhe rolin e tyre në mbështetjen e komuniteteve lokale.
Liqeni i Shkodrës është një nga ekosistemet më të rëndësishme ujore në rajonin e Ballkanit, i njohur për pasurinë e tij biologjike, habitatet e shumta dhe rolin kyç në ruajtjen e specieve të ndryshme të florës dhe faunës.
Njohja si Rezervë Biosfere pritet të forcojë përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit, të rrisë mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe të kontribuojë në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonë.
Çfarë është Programi “Njeriu dhe Biosfera” i UNESCO-s?
Programi “Njeriu dhe Biosfera” (MAB) i UNESCO-s synon të promovojë bashkëjetesën harmonike mes njeriut dhe natyrës. Përmes këtij programi, rezervat e biosferës shërbejnë si modele të zhvillimit të qëndrueshëm, duke kombinuar ruajtjen e biodiversitetit me zhvillimin ekonomik dhe social të komuniteteve që jetojnë në këto zona.
Rezervat e biosferës janë territore ku mbrojtja e ekosistemeve natyrore ecën paralelisht me aktivitete që nxisin mirëqenien dhe zhvillimin e qëndrueshëm të banorëve lokalë.