Strategjitë e sektoreve ndërlidhës

Strategjitë e tjera sektoriale

Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020

Dokumenti liston sfidat kryesore me të cilat përballet sektori, përfshi zbatimin e standardeve, cilësinë e shërbimeve dhe faciliteteve turistike, zhvillimin e produkteve turistike, mungesën e bashkëpunimit dhe  koordinimin efektiv mes aktorëve që janë apo mund të ishin pjesë përbërëse e industrisë së turizmit. Ndër sfidat specifike përfshihen: (1) nevoja për një integrim më të madh të planfikimit të turizmit dhe destinacioneve turistike; (2) adresimi i dobësive në lidhje me gamën dhe cilësinë e produkteve turistike; (3) zhvillimi i një mjedisi më të favorshëm ligjor dhe institucional për përthithjen e investitorëve të vendas dhe të huaj privatë; (4) nevoja për një qasje më gjithëpërfshirëse dhe strategjike në lidhje me zhvillimin e turizmit në Shqipëri, për sigurimin e qëndrueshmërisë dhe sigurimin e të ardhurave dhe mundësive të punësimit; dhe (5) nevoja për miratimin dhe zbatimin e “Strategjisë ndërsektoriale kombëtare të turizmit”.

SKZHI 2015-2020 jep këtë vizion për turizmin në Shqipëri: “një destinacion atraktiv, autentik, mikpritës turizmi në Evropë, bazuar në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, kulturore dhe historike, lehtësisht e arritshme nga tregjet ndërkombëtare”. Dy objektiva strategjitkë për turizmin parashihen në këtë Strategji:

  1. Zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm në vend për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe punësimin, nëpërmjet rritjes së qëndrimeve për ndërkombëtarët dhe rritjes modeste të emigrantëve dhe shqiptarëve etnikë; rritjes së kontributit direkt të turizmit në PBB; dhe rritjes së kontributit direkt të turizmit në punësim,
  2. Krijimi i një modeli të integruar të turizmit, me përmasa kulturore, natyrore dhe bregdetare nëpërmjet zhvillimit të një strategjie “Branding Albania” me një logo dhe slogan të unifikuar për investimet në turizëm; miratimit dhe zbatimit të “Strategjisë kombëtare për zhvillimin e turizmit”; zhvillimit dhe zbatimit të një Plani kombëtar për zhvillimin e turizmit, të integruar me Planin e Përgjithshëm të Territorit Kombëtar; dhe krijimit të produkteve të reja kulturore, natyrore dhe të turizmit bregdetar.

 

Plani i Përgjithshëm Kombëtar 2015-2030

Plani i Përgjithshëm Kombëtar përcakton orientimet kryesore të zhvillimit të turizmit bazuar në potencialet e territorit. Harta e potencialit turistik brenda këtij Plani ilustron zona të cilat klasifikohen si Zona me Rëndësi Kombëtare për vlerat që kanë në planikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Një numër i konsiderueshëm i këtyre zonave rregullohet nga legjislacioni sektorial në fuqi, si p.sh: zonat e mbrojtura natyrore; burimet ujore dhe fashat e tyre mbrojtëse; zonat minerare; zonat industriale; zonat e trashëgimisë historike dhe kulturore; monumentet e kulturës; zonat dhe parqet arkeologjike; qendrat historike; brezi bregdetar, etj. PPK-ja mbështet dhe fuqizon rëndësinë që kanë këto zona për interesin kombëtar duke zgjeruar territoret e shpallura në mbrojtje të një pjese të tyre, por edhe duke propozuar zona të reja, të cilat duhet të merren në mbrojtje në përputhje me procedura të përcaktuara në legjislacionin sektorial në fuqi. Në hartën e potencialit turistik detajohet lista e zonave me rëndësi kombëtare, të cilat kanë rëndësi specike për potencialin turistik të vendit.

Lista e zonave të identikuara me përparësi turizmin, përfshin: Brezin bregdetar, Parkun e Alpeve, Parkun e Bunës, Parkun e Vjosës, të gjitha njësitë administrative (në kufijtë e ish-komunave dhe ish-bashkive) me dalje në det, rrjedhat lumore dhe zona buferike rreth tyre, itineraret turistike dhe zona buferike përreth tyre dhe ishujt. Itineraret turistike që identifikohen janë: Via Egnatia, Via Skënderbeg, Itinerari alpino – liqenor që lidhet përtej kufirit me itinerarin turistik të maleve Dinarike, Itinerari vozitës përgjatë liqeneve articiale Koman – Fierzë, Itinerari kulinar – agroturistik. Akset rrugore panoramike dhe zonat e tyre buferike përfshijnë: Aksin Përmet – Ersekë, Aksin Gjirokastër – Sarandë, Aksin e Qafë-Krrabës, Aksin Elbasan – Librazhd. Ndërsa zonat turistike në brendësi të territorit janë: Tërbufi, Mali i Dajtit, Liqenet e Lurës, Liqenet e Belshit, Liqeni i Shkodrës, Liqeni i Ohrit dhe i Prespës, Dardha, Voskopoja, Gjinari dhe Mali i Lenies, në afërsi të Rehovës. Sitet UNESCO ekzistuese dhe të propozuara: Gjirokastra, Berati, Butrinti, Apollonia, Varrezat e Selcës së Poshtme, Zona natyrore dhe kulturore e Ohrit dhe Amfiteatri i Durrësit. 20

Plani i Integruar Ndërsektorial për Brezin e Bregdetit

Nga analizat e studimet e realizuar deri më sot dhe nga strategjitë kombëtare të zhvillimit, por edhe ato ndërkombëtare për të ardhmen e rajonit të Mesdheut, të bëra për sektorin e turizmit dhe ekonominë detare, PINS Bregdeti vlerëson se tendeca e zhvillimit të turizmit në Shqipëri duhet të përqëndrohet në këto lloje turizmi: Turizmi bregdetar, Turizmi kulturor, Turizmi natyror/ekoturizmi, Turizmi rural, Agroturizëm, Turizmi malor, Turizmi i aventurës (sporte) dhe Turizmi i shëndetit dhe mirëqenies.

Politikat strategjike për mbrojtjen e biodiversitetit

Vlerat rekreative që sjell larmia biologjike dhe ajo e peizazhit janë një pasuri, e cila mund të përdoret për të nxitur zhvillimin e turizmit. Kjo është detyrë dhe përgjegjësi për mbrojtjen dhe zhvillimin e këtyre vlerave për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm. Nëse ne nuk jemi në gjendje dhe të përgjegjshëm për mbrojtjen e diversitetit biologjik dhe natyror, ekziston rreziku i humbjes së vlerave të tyre, të cilat ndihmojnë turizmin si një mjet për të nxitur zhvillimin në Shqipëri. Gjuetia, peshkimi, alpinizmi, si dhe aktivitete të tjera, të cilat janë atraktive për turizëm, kërkojnë që Shqipëria të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur mjedisin dhe biodiversitetin e saj. Vitet e fundit zhvillimi i konceptit të ekoturizmit është një drejtim i vlerësuar si i rëndësishëm dhe i cili krijon mundësinë e përfitimeve ekonomike, veçanërisht për Zonat e Mbrojtura, por jo vetëm dhe që siguron përdorimin e qëndrueshëm të komponentëve të biodiversitetit.

Shqipëria është nën kërcënim për shkak të praktikës së papërshtatshme dhe të zhvillimit që lidhen me turizmin masiv. Me modelin aktual të zhvillimit të bazuar në sasi, rritja e parashikuar e zhvillimit të turizmit në rajon do të vazhdojë të dëmtojë peizazhin, do të ndikojë në erozionin e tokës, duke ushtruar presion mbi specie të rrezikuara. Njëkohësisht, sforcimi apo përdorimi tej mase i burimeve ujore në dispozicion, rritja e sasisë së mbeturinave dhe shkarkimi i ndotjeve në det, veç të tjerave është dhe një përçarje kulturore. Ndërtimi i lidhur me zhvillimin e turizmit ka shkaktuar, gjithashtu, dëme të mëdha edhe në ekosistemet e brishta bregdetare dhe detare në vend. Duke pasur parasysh numrin gjithnjë në rritje të vizitorëve, është e qartë se ndikimi i turizmit në tokë dhe peizazh është i madh.

Strategjia Ndërsektoriale “Axhenda Dixhitale e Shqipërisë 2015-2020”

Dokumenti synon rritjen e efiçensës së sektorit prodhues, Bujqësi, Turizëm dhe Industri nëpërmjet sistemeve të TIK. Një nga objektivat strategjikë të dokumentit parasheh përmirësimin e infrastrukturës TIK në administratën publike për zhvillime të harmonizuara dhe integruara sipas standardeve ndërkombëtare për e-qeverisjen në të gjithë sektorët (shëndetësi, arsim, mjedis, bujqësi, turizëm, kulturë, energji, transport, etj.) me qëllim ndërlidhjen 100% të të gjitha sistemeve deri në fund të 2020.

Strategjia Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2014-2020

Dokumenti vendos bazën e një planifikimi të integruar dhe synon zhvillimin e turizmit rural dhe aktiviteteve të tjera të lidhura me turizmin, si për shembull turizmi kulturor, turizmi natyror dhe malor, turizmi i verës etj., duke rikonstruktuar ndërtesat dhe shtëpitë tradicionale për qëllime biznesi, si akomodimi, ushqimi, koha e lirë, tregtia etj. Sipas strategjisë, arritja e qëllimeve të lartpërmendura do të bëhet e mundur nëpërmjet promovimit dhe marketingut të imazhit turistik të vendit si destinacion turistik me interes të veçantë; diversifikimit të produktit turistik duke e zgjeruar në të gjithë territorin për të siguruar zhvillimin e integruar të turizmit; zhvillimit të sistemeve të certifikimit dhe standardizimit në turizëm me qëllim për të kontribuuar në cilësinë e përmirësuar të shërbimeve dhe produkteve në sektor. Strategjia konsideron Partneritetin Urban-Rural si një qasje e integruar për të arritur një zhvillim të balancuar. Zhvillimi i bujqësisë urbane përfshin; zhvillimin e bujqësisë urbane në zonat me urbanizim mesatar dhe të lokalizuara përgjithësisht në periferi të qendrave të banuara dhe do të jetë një nga politikat e të ardhmes. Agroturizmi do të jetë një ndër mjetet jo vetëm të promovimit turistik, zhvillimit ekonomik, por dhe të rritjes së qëndrueshmërisë së turizmit dhe ruajtjes dhe promovimit të identitetit kulturor edhe lokal.

Strategjia e Transportit

Parasheh që deri në vitin 2030, 30% e transportit rrugor, mbi 300 km distancë, duhet të zhvendoset në mënyra të tjera të tilla si transporti hekurudhor ose ujor dhe më shumë se 50% deri në vitin 2050. Deri në vitin 2050, synohet që pjesa më e madhe e transporteve të pasagjerëve për distancat e mesme të bëhet me hekurudhë. Nga pikëpamja mjedisore, politika e transportit të BE-së është fokusuar në zhvillimin e një sistemi të integruar të transportit multimodal që është i padëmshëm për mjedisin. Strategjia shoqërohet nga një plan veprimi, bazuar në shtyllat: Rritja Blu, Lidhja e Rajonit (rrjetet e transportit dhe energjisë), Cilësia e mjedisit dhe Turizmi i qëndrueshëm. Arrtija e modelit të integruar të turizmit të kombinuar të dimensioneve bregdetare (plazhet dhe dielli), kulturore (arkeologjia, trashëgimia) dhe natyrore (eko-turizmi) mbështetet kryesisht mbi një rrjet efikas të rrugëve që mund të lidhë çdo cep të vendit. Disa destinacione janë të një rëndësie të veçantë dhe kanë nevojë për lidhje cilësore rrugore: Destinacionet bregdetare, Vendet e trashëgimisë botërore dhe Eko-turizmi.

Turizmi detar që ka parë rritje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit nuk duket se është përfshirë në MSDI dhe dokumente të tjera ekzistuese të strategjisë për sektorin detar. Në këtë drejtim, rekomandohet që ndërkohë që strategjitë kufitare për rritjen e ngarkesave dhe trafikun e pasagjerëve mbeten të përshtatshme, supozimet e tyre themelore do të duhet të ribëhen dhe kjo duhet të përfshihet në planet e veprimit të nevojshme për arritjen e tyre. Objektivat strategjike për periudhën 5 vjeçare të ardhme janë: Zhvillimi dhe promovimi i turizmit detar duke zhvilluar infrastrukturën portuale të nevojshme, veçanërisht në Sarandë, ndërkohë që në të njëjtën kohë përpunohet një strategji ndër-sektoriale (transporti, turizmi dhe e bashkive vendore) për të tërhequr më shumë anije lundruese (kruazera) dhe turizmin detar në Shqipëri.

Kultura dhe Turizmi Kulturor

Në mandatin 2017-2021, Qeveria ka prioritet ruajtjen dhe përmirësimin e standardit të cilësisë në produktet kulturore, intensifikimin e investimeve në këtë sektor, pavarësimin e skenës kulturore nga strukturat publike (duke shtuar burimet e financimit dhe partneritetet publik-privat) dhe shfrytëzimin e kulturës si burim ekonomie dhe turizmi. Brenda mandatit 2017-2021 do të përfundojnë punimet për rikonstruksionin e plotë të Teatrit të Operës dhe Baletit, do të përfundojë qendra multifunksionale e artit “Turbina”, do të investohet në qendra kulturore multifunksionale në qytete ku Rilindja Urbane ka rritur ndjeshëm interesin për kulturën. Në Tiranë investimet kulturore do të kenë tri prioritete në këtë mandat të dytë: rikualifikim dhe rikonceptim të Muzeut Historik Kombëtar; rikonstruksion të Bibliotekës Kombëtare; rehabilitim të Galerisë Kombëtare të Arteve si një qendër e rendësishme e historisë se artit shqiptar. Në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës do të fillojmë gjithashtu ndërtimin për Teatrin e Ri Kombëtar dhe ndërtimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor në akset e reja infrastrukturore që po i shtohen kryeqytetit.

Kultura, jo si shans për disa, por si e drejtë reale për të gjithë do të konkretizohet në vazhdimin e reformës në institucionet e artit dhe në politikat kulturore, ku do të theksojë me forcë “edukimin përmes kulturës” në standarde profesionale. Edukimi masiv me art e kulturë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, duke ndërhyrë në kurrikulat e shkollës nga njëra anë dhe duke përfshirë në çdo institucion arti linjën pedagogjike dhe edukative nga ana tjetër, do të jetë prioritet në mandatin e dytë.

Trashëgimia kulturore si një kombinim i programit të Rilindjes Urbane me atë të rehabilitimit të qendrave historike, do të konsolidojë modelin e suksesshëm të rijetësimit të trashëgimisë kulturore me destinacion turistik.

Prioritet do të marrë kombinimi i turizmit kulturor me agroturizmin përmes programit të Rilindjes Rurale që do të synojë restaurimin e qendrave historike të fshatrave me potencial historik si QH Rehovë, QH Theth, QH Dhërmi, QH Vuno, QH Përmet. Do të promovohen itinerare të reja turistike me karakter kulturor si “Rrugët e besimit”, korridoret e vjetra historike dhe tregtare, si “Via Egnatia”, duke kombinuar trashëgiminë kulturore, kulinarinë dhe artizanatin. “Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës. Në skenën ndërkombëtare, kultura do të vijojë të forcojë praninë e saj cilësore si pasaporta jonë më e mirë.

Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve 2014-2020

Rritja e investimeve të huaja është objektiv kyç për zhvillimin ekonomik të vendit dhe prioritet strategjik i qeverisë. Rëndësia e investimeve të huaja është shumë planëshe si dhe performanca e investimeve ndikon në progresin ekonomik dhe social të vendit. IHD sjellin kapitalin e nevojshëm, rrisin produktivitetin e ekonomisë dhe ndërmjet të tjerave nëpërmjet transferimit të njohurive dhe teknologjisë, ndikojnë në hapjen e tregjeve të reja për tregti, si dhe rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë, ndikojnë në reduktimin e defiçitit të llogarive korente, rrisin punësimin dhe mbi të gjitha ndikojnë në mirëqenien e popullsisë. Strategjia konstaton se PPP nëpërmjet kontratave koncesionare ka vërtetuar se është një mekanizëm i suksesshëm në tërheqjen e investimeve të huaja veçanërisht në sektorin e minierave dhe të energjisë dhe parasheh që kjo politikë do të zgjerohet edhe në sektorë të tjerë dhe do të bëhen përpjekje për të nxitur praktikat më të mira në përgjegjësinë sociale të korporatës-CSR, në industritë nxjerrëse (nafte, miniera, çimento dhe energji elektrike), për të krijuar një mjedis miqësor menaxhues dhe të pranueshëm nga komuniteti lokal.

Strategjia për Menaxhimin e Integruar të Kufijve

Objektivat e politikes që përcakton kjo strategji janë: forcimi i masave për luftën kundër krimit ndërkufitar dhe trafiqeve të paligjshme me synim rritjen e standardeve të sigurisë së kufijve në parametrat e vendeve të BE-së, rritja e standardeve për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve nëpërmjet aplikimit të praktikave më të mira për menaxhimin e integruar të tij, krijimi i një kuadri ligjor të përshtatshëm dhe të harmonizuar me standardet e BE-së dhe Rregullores Schengen, ngritja e një sistemi masash parandaluese për migrimin e paligjshëm, bazuar në kuadrin ligjor dhe praktikat e mira të vendeve të BE, përafrimi me standartet e BE-së i qarkullimit të mallrave, mjeteve dhe udhëtarëve në kufi, duke garantuar lehtësi për tregtinë e ligjshme dhe kufij të sigurt dhe përafrimi i plotë i sistemit elektronik të lëshimit të vizave, E-viza me standartet e Rregullores Schengen.