Postuar më: 16/10/2019

Ministri Klosi lançon nismën “Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike” më 1 qershor 2020

Nis nga Fakulteti i Inxhinerisë së Mjedisit në Tiranë nisma “Shqipëria vendi i parë europian pa qese plastike” për të eliminuar qeset plastike deri në 1 qeshor 2020. Në auditorin me studentë dhe drejtues të këtij fakulteti, ministri Klosi kërkoi aleancën me studentët për t’i thënë stop ndotjes dhe për të refuzuar përdorimin e qeses plastike në Shqipëri.

Ka ardhur koha që të  bëhet një pakt kombëtar për Shqipërinë e pastër. Nga fillimi i këtij viti të refuzojmë prodhimin dhe importimin e qeseve dhe nga 1 qershori 2020, ne të jemi vendi i parë europian pa qese plastike, për të shkuar më pas në refuzimin e plastikës një përdorimshme. Duke folur për  zhvillimin e turizmit dhe ndikimin e mjedisit, ministri Klosi tha se problemi më i madh mbetet pastërtia dhe treguesi më i dukshëm janë qeset plastike që e bëjnë pis Shqipërinë.

“Kapitulli i mjedisit është më i vështiri në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Te standartet e mjedisit partnerët tanë janë shumë striktë dhe ne duhet të ndryshojmë sistemin” – tha ministri Klosi duke iu referuar edhe reformës në institucionet mjedisore të cilat duhet të mbajnë fokusin te ndotësit e mëdhenj.

Profesorati i fakultetit të Inxhinierisë së Mjedisit dhe studentët shprehën përkrahjen për këtë nismë si dhe për politikat më të fundit për një mjedis të pastër dhe të mbrojtur. Fushatës iu bashkua edhe Miss Univers Albania 2019 e cila dha mesazhin e saj për një Shqipëri të pastër dhe pa qese plastike.