Postuar më: 03/06/2020

Sezoni turistik/ Klosi takim me hotelierët e Durrësit: Aplikim në e-Albania për stacionet e plazhit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me hotelierët dhe operatorët turistikë në Durrës në kuadër të sezonit të ri turistik, ku u shpjegoi rregullat e menaxhimit të plazheve private dhe publike.

Klosi duke shpjeguar rregulloren e re, i bëri ftesë të gjithës subjekteve të interesuara të aplikojnë në portalin “e-Albania”.

“Hotelet do të aplikojnë për zonën që kanë para hotelit të tyre. Për sipërfaqe të tjera ata të vijës së dytë. Duke plotësuar 80% të plazheve dhe për t’ja lënë 20 % publikut. Zakonisht plazhet pranë zonave të banuara do të jenë publike. Por dhe për ato plazhe të caktuara si private, kur nuk ka kërkesa, do t’i kalojnë publikut. Për mosrespektim të protokollit të shëndetësisë do të ketë gjoba shumë të forta, deri në sekuestrime të pasurisë, shezlonëve dhe heqje të licencës”, tha ministri Klosi.

“Në e-Albania aplikimet kanë nisur nga 1 qershori, deri në 15 qershor, në mënyrë që më 1 korrik gjithçka të jetë gati. Aplikimi në e Albania është shumë i thjeshtë, aplikohet dhe nga telefoni. Vendos numrin e NIPTIT, do të dëshmojë që posedon një hotel, vetëdeklarimin e kushteve të higjienës. Pra numri i banjave, dusheve. Këto janë 3 dokumentet. Pastaj do të zgjedhë numrin e parcelës sipas kodit në hartën digjitale, për të cilën dëshirojnë të aplikojë si dhe një foto. Për dy ditë do të vlerësohet nga komisioni me përfaqësi nga Ministria e Turizmit dhe Shëndetësisë maksimumi 5 ditë. Pastaj do të paguajë faturën e bashkisë dhe do të lidhë kontratën me bashkinë, baywatch-in, etj. Për të zëvendësuar kohën e humbur, ditët e marsit, prillit, majit me kërkesë dhe të operatorëve turistikë do të shtyjmë sezonin deri në 15 nëntor, në mënyrë që dhe ju të keni mundësi të paguani faturat dhe taksat”, – tha Klosi.

“Sistemi i aplikimit për plazhet këtë vit është unik në gjithë vendin, shmangen burokracitë dhe siguron transparencë”, – tha Klosi.

Ai kujtoi se u hapën kufijtë tokësorë për t’i dhënë mundësi operatorëve turistikë të kenë klientë edhe nga rajoni. “Vetëm për këtë arsye e hapëm kufirin tokësor, duke patur parasysh nevojën tuaj për të pasur klientë, turistë nga rajoni. Qeveria ndërmori një hap të guximshëm që hapi kufijtë tokësorë, dhe këtë e bëri për të shpëtuar turizmin shqiptar, për t’i dhënë frymë turizmit patriotik. Edhe shtyrja e sezonit është bërë për të krijuar mundësinë që kontratat e lidhura me bashkitë që do jenë deri në 15 nëntor të jenë të ligjshme”, – tha Klosi.