Postuar më: 07/09/2019

Të rinjtë e “Smile Albania”, pastrim në malin e Dajtit

Të rinjtë

Të rinjtë e Smile Albania, janë jo vetëm promotorë të turizmit gjatë sezonit veror, por kryejnë edhe një mision të rëndësishëm në përçimin e mesazheve ndërgjegjësuese përmes pjesëmarrjes në operacionet simbolike të pastrimit, organizuar kudo në Shqipëri nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Të rinjtë e Smile përgjatë dy muajve kanë ndihmuar në pastrimin e të gjitha zonave bregdetare dhe turistike por sot në malin e Dajtit na janë bashkuar edhe të rinjtë e Tiranës nëpërmjet FRESSH-it për të dhënë një mesazh shumë të fortë sensibilizues. Përgjatë gjithë ditës ne do të pastrojmë këtë hapësirë duke vazhduar të bëjmë thirrje që tashmë vitin administrativ që fillon ne do t’u kërkojmë të gjitha organizatave të shoqërisë civile dhe po ashtu pushtetit lokal dhe shoqërisë në tërësi që të punojmë fort për një menaxhimin krejt tjetër të mjedisit për një Shqipëri më të pastër”- tha ministri Klosi, i cili rithekson prioritetet e MTM-së në luftën e pakompromis me plastikën në vendin tonë. “Në operacionin tonë ‘Clean and Green 2020’ një nga pikat e rëndësishme ka qenë eliminimi i qeseve plastike , prandaj brenda këtij viti ne do të kalojmë ligjin që kufizon në pranverën e vitit 2020 përfundimisht qeset plastike në vendin tonë dhe brenda vitit 2020 eliminimin e të gjithë plastikës”,- u shpreh ministri Klosi.

Deputeti i Partisë Socialiste, Eljo Hysko tha se FRESSH ka vendosur që këtë vit t’i bashkohet aksionit të MTM për të pastruar zonat e mbrojtura, bashkitë e vendit dhe zonave turistike. “Është një aktivitet fillestar që do të pasohet nga shumë të tjerë. Natyra është e të gjithëve, është një pasuri e cila na ndihmon në të gjitha aspektet, është një mënyrë jetese dhe unë besoj që ka ardhur koha që të rinjtë pak më shumë se të tjerët të jenë ata të cilët do veprojnë dhe do japin kontributin e shembullin e tyre. Ky është vetëm fillimi dhe besoj se aksioneve të shumta të ministrisë ne do t’u jemi gjithmonë pranë”,- tha Hysko.

Në këtë operacion pastrimi, ministri Klosi shoqërohej nga djali dhe vajza e tij, si simbolikë për ti kujtuar gjithë shoqërisë, në veçanti prindërve të kujdesen për mjedisin e përbashkët si kontribut që s’ka çmim për të ardhmen e shëndetshme të fëmijëve.