Postuar më: 26/06/2019

Nis lundrimin anija e parë turistike në Durrës

Nga Durrësi, në një udhëtim simbolik me anijen e parë turistike në këtë rajon bregdetar, ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi i bëri thirrje komunitetit të biznesit që të investojë për krijimin e industrisë së turizmit detar. “Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të disafishojë potencialin e saj turistik duke investuar në biznesin e detit. Ky vend duhet të ishte plot me jahte, me anije të shpejta me gjithë biznesin që ofron deti, por dhe shërbimin që duhet të ketë në tokë, për detin. Tani jeni në një fazë që ju pothuajse i keni mbaruar hotelet tuaja, jeni në fazën e shtimit të hoteleve të reja, por kjo nuk mjafton. Ne na duhet që ta disafishojmë potencialin tonë duke folur për detin, për marinat, për portet e medha apo të vogla të jahteve por edhe për shërbimin që duhet të krijojmë në det”,- tha ministri Klosi.
Politikat e reja në lidhje me turizmin si dhe bashkëpunimi me komunitetin e biznesit i japin mundësinë zhvillimit të një turizmi ende të panjohur në vendin tonë. “Ky det duhet të shfrytëzohet më shumë dhe kjo ka nevojë që edhe ju biznesi lokal i Durrësit dhe i të gjithë bregdetit të keni mundësi që të shikoni më shumë shërbime për detin.”
Ministri Klosi hoqi një paralele me realitetin në Vlorë ku brenda një viti, nga 2 anije janë bërë 27 anije të cilat ofrojnë udhëtime për turistë vendas dhe të huaj” Shpresojmë që ky biznes do të fillojë edhe në Durrës me shpejtësi”- përfundoi fjalën e tij ministri Klosi.
Anija “Happy Regina” lundron çdo ditë nga Mali i Robit në drejtim të plazheve të ndryshme të Durrësit, duke ofruar shërbim të certifikuar dhe me standarde për turistët.

Të rejat e fundit