Postuar më: 16/04/2019

Klosi: Në Shkodër kemi një pol shumë të rëndësishëm të arsimit profesional

Arsimi Profesional, mbetet një nga mundësitë më të mira për punësimin e të rinjve, që zgjedhin të profilizohen në fusha të ndryshme, por veçanërisht në profilet e shërbimeve, siç është Hoteleri-Turizmi, një nga degët më të kërkuara në industrinë e turizmit, e cila po zhvillohet me ritme të jashtëzakonshme. “Në Shkodër kemi një pol shumë të rëndësishëm të arsimit professional, kemi të paktën 13 shkolla publike dhe 1 shkollë private dhe realisht ka shumë më tepër nevojë nga sa ka sot. Prandaj, unë mendoj që investimet duhet të vazhdojnë, por ajo që duhet më shumë është që ju vetë të keni më shumë hapësira për praktika pune, në industry dhe për ata që mësojnë në Hoteleri-Turizëm besoj që janë në vitin e dytë dhe të tretë, i lejon mosha për tu punësuar pranë një biznesi gjatë sezonit të verës, ku ka kërkesa pa fund. Dhe realisht kemi kërkesa jo vetëm nga strukturat akomoduese në Shkodër, Velipojë, Shëngjin, por kemi kërkesa të vazhdueshme edhe nga rajoni, që duan të kenë djem dhe vajza për ti punësuar, qoftë në Malin e Zi, qoftë në Kroaci”, tha ministri Klosi, gjatë një bashkëbisedimi me nxënës të degës së Hotelri-Turizmit, në shkollën profesionale “Hamdi Bushati”, në Shkodër. Klosi tha gjithashtu se qeveria shqiptare ka realizuar një marrëveshje me qeverinë italiane, për të punësuar një numër të konsiderueshëm djemsh dhe vajzash gjatë sezonit, në Hoteleri-Turizëm”, një arsye pse të rinjtë duhet të investohen në profile, për të cilat tregu i punës ka më shumë nevojë. I pranishëm në këtë bashkëbisedim me profesionistët e rinj, në fushën e shërbimeve, deputeti socialist, Ditmir Bushati theksoi se ky moment i rëndësishëm në zhvillimin e turizmit, duhet ti bëjë të rinjtë të reflektojnë për të ardhmen e tyre. “Ne kemi një defiçencë të madhe përsa i përket profesionistëve dhe Shkodra është e pozicionuar shumë mirë në këtë drejtim. Gjithashtu unë e di, që përveç se kemi një shkollë të standardeve më të mira këtu, kemi edhe një ekip të dedikuar dhe ekzistojnë të gjitha mundësitë që ju të përgatiteni për tu aftësuar që në këtë moment, që nesër pasnesër në treg të jeni sa më konkurrues, qoftë në Shkodër, por edhe përtej duke qenë se Shkodra është një qytet dhe një rajon ndërkufitar”, u shpreh deputeti Bushati.

Të rejat e fundit