Postuar më: 24/10/2018

Klosi: 365 masa, për 365 ditë të vitit

Pa përfunduar ende sezoni turistik për vitin 2018, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi mblodhi në një tryezë të përbashkët institucionet e përfshira në këtë sezon veror, agjencitë turistike shqiptare dhe përfaqësues të tjerë të biznesit të turizmit për të raportuar mbi problematikat që kanë hasur, me qëllim listimin dhe korrigjimin e tyre që tani, për të orjentuar një vit të ri turistik me më shumë standarde dhe cilësi në shërbime. Ky ishte qëllimi i takimit të paradites së sotme, në kuadër të konferencës kombëtare të Turizmit, e cila për herë të parë, me porosi të ministrit Klosi, i dha fjalën aktorëve që e bëjnë drejtpërdrejt binzesin e turizmit, ata që e njohin situatën dhe që kanë ide konkrete për mënyrën sesi vitin e ardhshëm të jemi më të gatshëm për t’ju përgjigjur më shumë turistëve, si në kapacitete, në më shumë siguri dhe shërbime më cilësore. “Rritja me 34 % në janar, 27% në gusht apo 44% në shtator dëshmon të dyja anët e medaljes, e para që kemi pasur mundësi që të ecim shumë mirë dhe e dyta sesa shumë mundësi të tjera kemi ne që të kemi një sfidë të vërtetë në turizmin shqiptar. Ne arritëm të ndërtonim task forcën në të gjitha qarqet e shqipërisë, të ngrinim listën e madhe të problemeve për të kuptuar poblemet. Ne së bashku me përfaqësuesit e task forcës, me të gjitha institucionet qëndrore që nga forcat e rendit, përfaqësues të ministrisë së Shëndetësisë, të Bujqësisë, Kulturës dhe shumë aktorë të tjerë ja dolëm për të punuar për standardet e turizmit këtë vit në Shqipëri. A ja dolëm? Pa dyshim problematikat janë të mëdha. Sot, nuk jemi për të folur ne si institucione shtetërore, por për të dëgjuar opinionet dhe mendimet që kanë ata që e bëjnë biznesin e turizmit drejtpërdrejt. Jemi për të mbajtur shënime për të korrigjuar problematikat që do të ngrini ju për një rast në sarandë, një në vlorë, një shqetësim në durrës një problematikë në velipojë, shëngjin. Çfarë bëhet në alpe? Në korçë? Në Dibër? Si mundet të ndërtojmë një filozofi për turizmin? Çfarë duhet të bëjmë të gjithë së bashku për të ndërtuar një skemë të re. Janë 365 masa, që ne kemi listuar për të ndërtuar në 4 shtyllat e turizmit detyrat e reja për vitin e ardhshëm”, tha ministri i Turizmit dhe Mjedisit. Ministri Klosi përsëriti mesazhin e qartë pse u organizua kjo mënyrë e re bashkëbisedimi, që çdo shqetësim apo çdo propozim i ri do të mbahet shënim, që të fillojë puna që sot për vitin e ardhshëm turistik, që të kemi një orjentim ndryshe, më të mirë. Për këtë arsye, iu drejtua herë pas here, grupeve të interesit me pyetje konkrete, me këmbënguljen se përgjigjet e tyre mund të krijojnë një panoramë të qartë problematikash, që vitin e ardhshëm do të eliminohen nëse evidentohen që tani. “Çfarë do bëjmë me standardet? Çfarë bëhet me rregullat që kanë të bëjnë me guidat? Çfarë do bëjmë për sa i përket strukturave në të gjithë pjesën e menaxhimti të politikave të turizmit? Çfarë duhet të realizojmë ne për të krijuar një filozofi të re që do të na orjentojë drejt një turizmi me më shumë standarde dhe cilësi në shërbime? Ku e keni ju shqetësimin më të madh? Kjo është pyetja!”, tha ministri Klosi. Bashkëbisedimi me aktorët e turizmit ishte pjesa e parë e Konferencës Kombëtare të Turizmit, i dyti është konceptuar për të prezantuar 365 masat e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në 365 ditët e vitit të ardhshëm turistik, 2019.