Postuar më: 19/10/2018

Safari Zoo Park, zhvendosen kafshët brenda 10 ditësh

Në zbatim të urdhrit të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe në mbështetje të ligjit Nr.10 006, datë 23.10.2008 “Për Mbrojtjen e Faunës së Egër”, Inspektorati i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura ushtroi inspektim në lokalin “Safari Park”, në Fier, me qëllim verifikimin e situatës dhe kushteve, ku mbahen disa kafshë të egra. Pas verifikimit, u vendos masa e pezullimit të aktivitetit dhe zhvendosja e kafshëve drejt qendrave të specializuara të rehabilitimit, brenda 10 ditësh.

Problematika e mbajtjes së kafshëve në gjendje robërie ka qenë pjesë e kontrolleve të bëra nga ministria e Mjedisit, që në vitin 2015, kur ka filluar procesi i shpëtimit të arinjve që mbaheshin në gjendje robërie nga biznese të caktuara. Në vitin 2017 ministria e Turizmit dhe Mjedisit nisi një aksion kombëtar për inspektimin e  të gjitha lokaleve, që mbajnë dhe ekspozojnë kafshë në kushte robërie, apo kafshë të balsamosura, për qëllime biznesi. Inspektime që vijojnë edhe sot me rezultate konkrete.

Në të ashtuquajturin “Kopësht Zoologjik” në lokalin “Safari Park” në Fier ka kafshë, që nuk janë të rajonit tonë. Situata ka qenë kritike, për këtë arsye, në muajin korrik, një grup veterinerësh dhe vullnetarësh nga fondacioni austriak “4Putrat” (Four Paws) dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura vizituan kafshët e egra në lokalin “Safari”, në Fier. Pas verifikimeve të specialistëve, kafshët janë vaksinuar dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.