Postuar më: 05/02/2018

MTM & MASR memorandum për Ditët e Pemëve

23 dhe 24 shkurt të çdo viti, shpallen Ditët Kombëtare të Pemëve ndërsa të gjitha shkollat dhe universitetet në mbarë vendin do të bëhen pjesë e këtyre ditëve kushtuar gjelbërimit dhe pyllëzimit. Për realizimin e kësaj fushate të përvitshme dhe mbi baza vullnetare, ministrat Klosi dhe Nikolla nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në prani të nxënësve të gjimnazit “Partizani” në Tiranë.

Ministri Klosi kërkoi mbështetjen e çdo nxënësi, mësuesi dhe prindi që të mbjellin pemë për të rigjeneruar mjedisin dhe jetën në vendin tonë. Vetëm me përfshirjen e të gjithë qytetarëve dhe bizneseve, do të arrihet që Shqipëria të bëhet vendi më i gjelbër në rajon. “Sot nënshkruam me ministren Nikolla një pakt i cili nuk u takon në fakt institucioneve tona, por i takon të gjitha shkollave të Shqipërisë për të marrë pjesë në aksionin e madh të mbjelljes së 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020 duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më të gjelbëruara në rajon. Ky  aksion do të vazhdojë gjatë gjithë muajit në të gjitha shkollat e vendit dhe do të kurorëzohet në datat 23 dhe 24 shkurt, ditë të shpallura si Ditët e Pemëve kur do t’u kërkojnë të gjithë qytetarëve, të gjithë bizneseve që të mbjellin një pemë për veten, për njerëzit të cilët i kemi në emigracion, për fëmijët të cilët duam t’i rrisim me dashurinë për natyrën, për të rikrijuar dhe rigjeneruar jetën në Shqipëri”- tha ministri Klosi.

Edhe ministrja Nikolla siguroi mbështetjen e plotë të ministrisë së Arsimit për mbarëvajtjen e aksionit të mbjelljes së pemëve duke përsëritur apelin për përfshirjen vullnetare të të gjithë nxënësve dhe stafit pedagjogjik. I drejtpërdrejtë ishte edhe mesazhi i njërës prej mësuesve të biologjisë së shkollës “Partizani” e cila theksoi se kush mbjell një pemë nuk mund ta presë kurrë atë.

Në fund të takimit ministrat e Mjedisit dhe Arsimit, së bashku me mësues e nxënës mbollën fidanët për kurorën e gjelbërt të shkollës “Partizani”. Memorandumi midis dy ministrive, synon organizimin e ditëve të mbjelljes së pemëve për çdo vit nga shkollat dhe universitetet, kryesisht në territoret e shkollave dhe përreth tyre në bashkëpunim me autoritetet vendore, si dhe nxitjen e bizneseve për të dhuruar fidanë pyjorë dhe dekorativë për institucionet shkollore.

 

 

Të rejat e fundit