Postuar më: 31/01/2018

Ministri Klosi dhe të rinjtë mbjellin 2 mijë fidanë në Gramsh

2 mijë fidanë të rinj gjelbërojnë prej ditës së sotme hyrjen e Gramshit. Fidanët, kontribut i biznesit të zonës u mbollën nga ministri Klosi me të rinjtë e gjimnazit të qytetit, punonjësit e bashkisë dhe qytetarët. “2 mijë fidanë, u mbollën nga nxënësit e shkollave dhe me një mbështetje shumë të mirë të zhvilluar nga biznesi lokal që ofroi këta fidanë. Bashkia e Gramshit është një nga Bashkitë më të forta për sa i përket pyllëzimit edhe për vetë faktin se kompania, e cila ka zhvilluar hidrocentralin e kesaj zone ka një detyrim karshi shtetit për të mbjellë plot 1.5 milion pemë, në harkun kohor të këtyre 2 viteve”, tha Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Ministri Klosi theksoi se mbjellja ë 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020  është krejtësisht e mundshme pasi “bashkëpunimi mes kaq e kaq shumë të rinjve, bashkëpunimi i pushteti lokal, biznesi lokal, por edhe kompanive të cilat kanë një detyrim mbi 6 milion e 700 mijë pemë për të realizuar.”- tha Klosi i cili gjithashtu përsëriti objektivin për të mbjellë 550 mijë pemë gjatë 550 vjetorit të Skënderbeut.

Kryetarja e Bashkisë së Gramshit Luljeta Dollani ftoi gjithë qytetarët e qytetit që ajo administron për të marrë pjesë në nismën e mbjelljes së pemëve. “Deri pardje ishte një zonë e mbytur nga plehrat dhe mbeturinat dhe sot ne mbjellim gati 2 mijë pisha të buta që do t’i shërbejnë zonës për ta bërë një park ku qytetarët e Gramshit do të kenë mundësi të shlodhen, nismë që Bashkia e Gramshit do ta vazhdojë edhe në pjesë të tjera të qytetit”, tha Dollani.

Deputeti i zonës Anastas Angjeli mbështeti nismën e ndërmarrë nga Ministri Klosi dhe përkrahur nga Bashkia, duke theksuar faktin që kjo i shërben zhvillimit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të turizmit. “Investimet e këtij viti në Gramsh dhe zbatimi i një sërë projektesh na forcojnë bindjen se ne po e ndryshojmë Gramshin për mirë. Rasti i sotëm është rasti i mbështetjes që Gramshi i bënë projektit për pyllëzim i cili është një projekt që po shtrihet në gjithë Shqipërinë dhe me këtë nismë të sotme dhe vazhdimin e saj unë jam isigurt se kjo bukuri natyrore bashkë me mbështetjen e këtyre projekteve do ta ndryshoj Gramshin si një zonë kreative, turistike që do t’i shërbejë zhvillimit të qëndrueshëm të tij”- tha deputeti Angjeli.

Të rejat e fundit